Kreu
KreuKreuRrjetiLajmetBëjeni tuajin librin

UET Centre partnere e EFI

Edi Vlusha
18.1.24

Tre vjet pas themelimit të Universitetit Europian të Tiranës, një ndër emrat që sot prevalon në arsimin e lartë në Shqipëri, një grup studiuesish dhe pedagogësh krijuan Qendrën UET, partnere e EFI në Shqipëri. Që në embrion (2009), kjo organizatë e re e shoqërisë civile kishte në fokus dhënien e kontributit në progresin dhe demokratizimin e shoqërisë, ende e pa orientuar mirë pas daljes nga një periudhë e gjatë dhe e vështirë nën regjimin komunist.

Nëpërmjet përfshirjes apo drejtimit të projekteve kërkimore, Qendra UET ka synuar ngritjen e kapaciteteve dhe implementimin e programeve me ndikim të fortë në fusha e dimensione të specifike, të përmbledhura në katër drejtime: Qeverisja e mirë dhe integrimi në Bashkimin Evropian; Ekonomia dhe zhvillimi i qëndrueshëm; Të drejtat e njeriut dhe përfshirja sociale; Teknologjia e informacionit, inovacioni social dhe sipërmarrja.

Pjesë e një një hallke të domosdoshme të shoqërisë dhe e një ambienti ku ushqehet dhe krijohet mendimi kritik, Qendra UET, në bashkëpunim me  pedagogët e universitetit, ka arritur të mbledhë gjithmonë pranë vetes profesionistët më të mirë të fushave të ndryshme në Shqipëri, që nëpërmjet njohjes, evidentimit, dhënies së ekspertizës, krijimit të debatit, të impaktojë opinionin publik dhe të çojë zërin në instancat më të larta qeveritare, për t’u kthyer në vendimmarrje dobiprurëse për rininë dhe shoqërinë tonë.

Tani që po i afrohet 15-vjetorit të krijimit, sheh me krenari një rrugë të shtruar me evente të suksesshme dhe produkte konkrete, ndërsa ka shtrënguar dorën e dhjetëra partnerëve e bashkëpunëtorëve brenda e jashtë Shqipërisë, duke ecuar krah për krah me të njëjtin përkushtim dhe vizion.

E drejtuar nga një grup të rinjsh energjik, me në krye Kebjana Haka, Qendra UET ka qenë gjithmonë pranë auditorëve, nxënësve e studentëve, për t’i orientuar dhe ndihmuar në arsimimin e tyre. I tillë është edhe projekti i jashtëzakonshëm me Economic Fundamentals Initiative (EFI), i cili është një promotor i vyer i edukimit ekonomik dhe financiar, me synimin e qartë për rritjen e prosperitetit personal dhe kombëtar, për një të ardhme më të ndritur për të gjitha vendet partnere.

Në kuadër të programit “Economic Literacy in Albania through ‘Common Sense Economics’”, kanë qenë të shumta aktivitetet dhe trajnimet e zhvilluara brenda UET, në gjimnaze e shkolla të tjera të Tiranës dhe me maturantë nga e gjithë Shqipëria. Studentët e Fakultetit të Ekonomisë Biznesit dhe Zhvillimit kanë referuar dhe diskutuar librin “Ekonomiksi i mendimit praktik”, financuar nga EFI ardhja e tij edhe në gjuhën shqipe. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa ishte një ndër të parët që ua rekomandoi këtë libër për një nisje të mbarë të studimit të tyre në këtë fushë, duke u shprehur se “si profesor i ekonomisë qëllimi im është të kultivoj tek studentët e mi kuptimin dhe rëndësinë e ekonomisë në botën e tonë”.

Lëkundjet e sistemit ekonomik janë bërë pjesë e diskutimeve dhe debateve mes studentëve të Klubeve Adam Smith dhe Philip Kotler në UET, teksa janë zhvilluar forume edhe leksione të hapura me ekspertë e drejtues të niveleve të larta, për të sjellë eksperiencën dhe praktika nga biznesi shqiptar.

Po ashtu, dy shkollat e organizuara nga UET gjatë gjysmës së parë të 2023, ajo e Inovacionit në Llogara dhe e Ligjit dhe Lidershipit mbajtur në Dhërmi, me pjesëmarrjen e afro 100 maturantëve nga e gjithë Shqipëria, kishin në fokus ekonominë dhe ndërlidhjen e saj me fusha të tjera.

Në muajin maj 2023, Qendra UET zhvilloi disa aktivitete të rëndësishme me fokus edukimin ekonomik. Nëpërmjet Klubit të Debatit të Ekonomisë, nxënësit e shkollë së mesme "Andon Zako Çajupi" në Tiranë, patën mundësinë të thellonin kuptimin e tyre në ekonomi dhe të eksploronin koncepte, teori dhe aplikime të ndryshme të kësaj fushe. Një trajnim dhe një njohje më nga afër me librin “Ekonomiksi i mendimit praktik” u zhvillua për drejtuesit e shkollave të mesme në Shqipëri gjatë muajit qershor, të cilët u informuan edhe për projektin e Olimpiadës Ekonomike, për të nxitur nxënësit të përgatiten dhe aftësohen në fushën e ekonomiksit.

Qendra UET është bërë pjesë e një programi tjetër të EFI-t, që synonte ngritjen e kapaciteteve për gazetarët e ekonomisë. Nëpërmjet seminareve, gazetarët e rinj dhe me eksperiencë kanë pasur mundësinë të trajnohen nga ekspertë shqiptarë e të huaj, duke sjellë metodat më të mira të raportimit të lajmit ekonomik.

Një tjetër ndërmarrje e emocionuese është organizimi i Olimpiadës Ndërkombëtare të Ekonomiksit 2024 me nxënësit e klasave 11 dhe 12, për të ofruar një eksperiencë të paharrueshme dhe shpërblyese për ta. Qendra UET mezi pret konkludojë hapin e radhës me EFI, e lumtur që ka impaktuar në rritjen e vetëdijes, kryesisht te të rinjtë, mbi ekonominë, motorin e zhvillimit të jetës njerëzore.